Marash Kumbulla është bërë njëri nga futbollistët më të kërkuar në kampionatin italian Serie A.
Qendërmbrojtësi shqiptar ka shkëlqyer me fanellën e Veronës në edicionin e fundit, duke bërë për vete shumë skuadra të mëdha.
Lazio, Inter, Fiorentina, Milan, Napoli dhe së fundmi Juventus janë skuadrat që kanë shprehur interesim për transferimin e shqiptarit.
Juventusi së fundmi është futur fuqishëm në garë dhe ka një plan për transferimin e Kumbullës.
Kampioni italian kërkon të paguajë 25 milionë euro për blerjen e lojtarit, ndërsa i ka premtuar Veronës se do ta lë atë huazim edhe për një vit tjetër.
Kjo gjë i ka pëlqyer Veronës që për momentin ka ndalur negociatat me Interin dhe Milanin duke u fokusuar vetëm me drejtuesit bardhezi.
Veronezët janë të gatshëm të pranojnë një ofertë të tillë, pasi sipas medieve italiane trajneri Juric është i lumtur për ta pasur edhe një edicion Kumbullën.
20-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 26 ndeshje me fanellën e Veronës, ndërsa ai është vlerësuar si njëri nga qendërmbrojtësit më të mirë në Itali.
Juventus e sheh shkodranin si zëvendësuesin adekuat për kapitenin Giorgio Chiellini i cili vitin e ardhshëm mund t’i japë fund karrierës futbollistike. /Telegrafi/