Rodrigo de Paul duket se do të jetë sërish një nga emrat më të përfolur në tregun e transferimeve në Serie A.
Mesfushori argjentinas po kalon vitin e tij të dytë në Spanjë te Atletico Madrid, kur iu bashkua në vitin 2021 nga Udinese për shifrën e 35 milionë eurove.
Edhe pse pritej largimi i tij verën e kaluar nga Atletico, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe duket se këtë verë ndarja është e pashmangshme.
Juventusi vazhdon të insistojë për transferimin e lojtarit, pasi duan ta rikthejnë argjentinasin sërish në Serie A ku kishte shkëlqimin më të madh.
29-vjeçari është një futbollist i rëndësishëm i Los Colchoneros, por gjithmonë ka thënë se do të donte të rikthehej sërish në elitën e futbollit italian.
Calciomercato ka raportuar se Zonja e Vjetër është gati të paguaj deri në 35 milionë euro për transferimin e argjentinasit në Allianz Stadium.
De Paul këtë edicion ka zhvilluar 37 ndeshje në të gjitha garat ku ka realizuar tre gola dhe ka asistuar në shtatë të tjerë. /Telegrafi/