Memphis Depay vazhdon të jetë njëri nga lojtarët më të kërkuar në tregun e transferimeve.
Sulmuesi holandez ka refuzuar të gjitha ofertat e Lyonit për rinovimin e kontratës që skadon në fund të sezonit dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane.
Fakti që pas muajit maj do të jetë i lirë, ka bërë që skuadra si Juventusi, Roma, Atletico Madrid, Barcelona e Borussia Dortmund të vihen në lëvizje për të marrë shërbimet e tij, i cili është lojtari kryesor te Lyon dhe njëri nga më të mirët te Kombëtarja e Holandës.
Sipas mediave italiane, Juventusi ka bërë hapa konkretë këtë javë, pasi i ka paraqitur menaxherit të Depayt edhe një ofertë zyrtare, teksa bëhet fjalë për një kontratë pesë vjeçare me pagë prej pesë milionë euro neto në sezon.
Ndonëse oferta është mjaft joshëse, favoriti kryesor për të marrë shërbimet e Depay mbetet Barcelona, pasi sulmuesi holandez ka një marrëdhënie të shkëlqyer me trajnerin Ronaldo Koeman dhe do të donte të punonte sërish me të.
Edhe vetë Koeman e ka shprehur disa herë dëshirën për të marrë shërbimet e holandezit, pasi ka pranuar se Barcelonës i mungon një sulmues me cilësitë e tij, që të dijë të sulmojë hapësirat dhe t’i japë thellësi skuadrës.
Ky është sezoni i katërt dhe i fundit që Memphis Depay luan me Lyonin, teksa ka zbritur në fushë plot 164 herë dhe ka shënuar 68 gola në të gjithë kompeticionet zyrtare me klubin francez. /Telegrafi/