Juventusi ka fituar ndaj Milanit me rezultat 3-1 në derbin e javës së 30-të në Serie A duke thelluar epërsinë ndaj Napolit në vendin e dytë.
Skuadra e Massimiliano Allegrit i është kthyer fitoreve pas barazimit ndaj Spal-it, ndërsa Milani i Gennaro Gattusos ka humbur pas dhjetë ndeshjeve në kampionat.
Luhej minuta e tetë e ndeshjes kur Paolo Dybala shënoi një supergol nga distanca për epërsinë 1-0 pas asistimit të Miralem Pjanic.
Pas këtij goli, Milani mori lojën në dorë duke tentuar me anë të Andre Silvas (15′), por golin e barazimit e gjeti vetëm në minutën e 20-të.
Ishte mbrojtësi italian, Leonardo Bonucci, i cili shënoi me kokë për 1-1 pas harkimit të Hakan Calhanouglu dhe nuk kurseu fare festën para tifozëve të ish-skuadrës së tij dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, u zhvillua po ashtu lojë e barabartë, me Milanin që rrezikuan të parët, por me vendasit që gjetën rrugën e rrjetës.
Milani pati rast të mirë në minutën e 55-të, por goditja e fortë e turkut Calhanouglu u ndal nga traversa.
Në minutën e 79-të të ndeshjes në pah doli i inkuadruari në pjesën e dytë, Juan Cuadrado, i cili shënoi me kokë për 2-1 pas asistimit të Sami Khediras, ndërsa gjermani shënoi në minutën e 87-të duke ia siguruar një fitore të madhe Juventusit me rezultat përfundimtar 3-1.
Pas kësaj fitore, Bianconerët renditen në pozitën e parë me 78 pikë apo katër më shumë se Napoli në vendin e dytë, ndërsa Milani zë vendin e gjashtë me 50 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Zonja luan në udhëtim te Benevento, ndërsa Milani e pret në shtëpi rivalin e urryer, Interin, në Derby della Madonnina. /Telegrafi/
Goal @bonucci_leo19 https://t.co/dRDc9bbUBO
— Curva Sud Indonesia (@CurvaSudIndo) March 31, 2018
https://twitter.com/Alessia_Nov/status/980178982778875905