Telegrafi

Juventusi fiton me rikthim ndaj Fiorentinës dhe shpallet matematikisht kampion në Serie A

Juventusi shpallet matematikisht kampion në Serie A (Foto: Giampiero Sposito/Getty Images/Guliver)

Juventusi ka fituar në shtëpi ndaj Fiorentinas me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Serie A dhe me këtë fitore ka fituar matematikisht titullin kampion në Itali.

Zonja e Vjetër ka arritur të fitojë me rikthim në Allianz Stadium dhe kjo fitore ia ka sjell titullin e tetë radhazi në Serie A, duke u shpallur matematikisht kampion për këtë sezon dhe për të 35-tën në histori të klubit.

Pjesa e parë e ndeshje ishte e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilët përveç shumë rasteve të krijuara arritën të shënojnë edhe nga një gol.

Festa e futbollistëve Viola pas golit të epërsisë (Foto: Giampiero Sposito/Getty Images/Guliver)

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm gjashtë minutave dhe ishin mysafirët që kaluan në epërsi 0-1 me anë të Nikola Milenkovic.

Juventusi arriti të kthehet në lojë dhe të shënoj golin e barazimit në minutën e 37-të me anë të Alex Sandro, i cili shënoi me kokë pas asistimit të Miralem Pjanicit.

Sandro shënoi golin e barazimit (Foto: Giampiero Sposito/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, ishte Juventusi që menaxhoi mirë lojën dhe arriti të shënoj edhe një gol për të siguruar fitoren.

Goli i fitores erdhi në minutën e 53-të dhe ishte German Pezzella, i cili shënoi autogol në tentim për të larguar një top të dërguar në zonë nga Cristiano Ronaldo.

Festa e CR7 pas autogolit të Fiorentinës (Foto: Giampiero Sposito/Getty Images)

Me këtë fitore, Bianconerët kanë plot 87 pikë në pozitën e parë apo 20 më shumë se Napoli i dyti, ndërsa Fiorentina zë vendin e 11-të me 40 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Juventusi udhëton te rivali i urryer Interi, ndërsa Fiorentina e pret Sassuolon. /Telegrafi/