Vedat Muriqi është duke shkëlqyer në kampionatin turk me fanellën e Fenerbahces.
Ylli kosovar ka shënuar tre gola në këtë fillim edicion me gjigantin turk, ndërsa ka pasur paraqitje të shkëlqyera edhe me Kosovën në ndeshjen e muajit shtator.
Manchester United, Atletico Madrid, Tottenham Hotspur, Lazio, Napoli e Fiorentina janë vetëm disa nga skuadrat që kanë shprehur interesim për prizrenasin.
Por së fundmi në garë është futur edhe gjiganti italian Juventus.
Ka qenë e përditshmja turke Hurriyet që ka publikuar lajmin për interesimin e Juventusit.
Kampioni italian pritet t’i dërgojë skautët e tyre në derbin e Stambollit mes Galatasarayt dhe Fenerbahces që do të zhvillohet këtë vikend.
Skautët e gjigantit italian pritet ta vëzhgojnë gjatë gjithë ndeshjes yllin kosovar dhe të bëjnë një raport për teknikun Maurizio Sarri.
Kujtojmë që këtë javë që kaloi, Muriqi ishte vendimtar në fitoren 2-1 të Fenerbahces ndaj Ankargucus, pasi shënoi dhe asistoi. /Telegrafi/