Juventusi ka luajtur baras me rezultat 0-0 ndaj Milanit në shtëpi në kuadër të xhiros së 34-të në elitën e futbollit italian.
Pjesa e parë e këtij takimi ishte shumë e baraspeshuar pasi të dy ekipet nuk po sulmonin, por po prisnin ndonjë gabim eventual të njëra-tjetrës për të realizuar.
Në pjesën e dytë ndryshoi ritmi i lojës, pasi të dy ekipet patën disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh, por u treguan të pasaktë përballë portës.
Filip Kostic (50’) humbi një mundësi të artë shënimi pasi gjuajtja e tij u prit për mrekulli nga Marco Sportiello, ndërsa në të njëjtin aksion topin e kthyer nuk arriti ta çojë në rrjetë Danilo.
Rasti i parë serioz për Milanin në këtë ndeshje erdhi përmes Ruben Loftus-Cheek (66’) i cili nga distanca bëri një goditje të fuqishme e cila përfundoi pranë shtyllës së djathtë të Juventusit.
Juventusi nuk u ndal në tentimet e tyre për të gjetur golin, dhe deri në fishkëllimën e fundit patën edhe tri raste të tjera serioze.
‘Zonja e Vjetër’ rrezikoi në dy raste përmes Arkadiusz Milik (73’ dhe 87’) ndërsa një mundësi tjetër e patën edhe me Adrien Rabiot (86’) por Sportiello dëshmoi se ishte nata e tij.
Kështu pra rezultati mbeti ai i pjesës së parë dhe të dyja ekipet u desh të pajtoheshin me nga një pikë nga ky takim.
Juventusi tashmë shkon në kuotën e 65 pikëve dhe gjendet në pozitën e tretë në tabelë, ndërsa Milani ka 70 sosh dhe gjendet në pozitën e dytë./Telegrafi/