Telegrafi

Juve vazhdon me fitore në Serie A, mposht Bolognan

Paulo Dybala, Juventus, Bologna (Foto: Mario Carlini / Iguana Press/Getty Images/Guliver)

Juventusi ka regjistruar një tjetër fitore në Serie A duke e mposhtur Bolognan (1-0) në udhëtim, në stadiumin Renato Dall’Ara.

Rastin e parë që vlen të përmendet e pati Nicola Sansone, mirëpo goditjes së tij i mungoi saktësia, ashtu që topi shkoi jashtë.

I njëjti futbollist u nis në një solo aksion duke i kaluar mbrojtësit, mirëpo goditja e tij ishte e lehtë për portierin mysafir.

Cristano Ronaldo, i rrezikshëm si gjithmonë (Foto: Mario Carlini / Iguana Press/Getty Images/Guliver)

Në vazhdim, Cristiano Ronaldo rrezikoi me një goditje me kokë, e cila u ndal nga portieri vendas. Një aksion të mirë e ndërtoi Federico Bernardeschi, mirëpo finalizimi nuk ishte i duhuri.

Në pjesën e dytë, Ibrahima Mbaye pati një shans për vendas, mirëpo topi u pastrua nga mbrojtësit Bianconerë.

Rezultati u zhbllokua nga Paulo Dybala. Pas një aksioni të nisur nga vet ai, Blaise Matuidi harkoi në zonë, ndërsa në përpjekje të një mbrojtësi për ta larguar topin, e dërgoi në këmbët e argjentinasit, i cili e ndëshkoi skuadrën nikoqire (67′).

Paulo Dybala e shënoi golin e fitores (Foto: Mario Carlini / Iguana Press/Getty Images/Guliver)

Kjo ishte fitorja e 22-të sezonale e Juventusit që numëron edhe tri barazime, ndërsa është 16 pikë përpara vendit të dytë që mbahet nga Napoli (që ka një ndeshje më pak të zhvilluar).

Bologna qëndron në zonën e rrezikut (në vend të 18-të) dhe deri në fund të sezonit do të luftojë për mbijetesë.

Në xhiron e ardhshme, Zonja e Vjetër zhvillon derbin ndaj Napolit, ndërsa Bologna është mysafir i Udineses. /Telegrafi/