Telegrafi

Juve shpreson ta ketë Ronaldon ndaj Barcës, e njofton UEFA-n se nuk ka simptoma dhe ngarkesa virale ishte e vogël gjatë testimit

(Foto: Twitter/ TeamCRonaldo)

Superylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, thuhet se është akoma pozitiv me coronavirus, prandaj pjesëmarrja në duelin ndaj Barcelonës është në dyshim të madh.

Futbollisti portugez doli pozitiv me COVID-19 gjatë angazhimit me Portugalinë, ndërsa Sky Sport Italia raporton se ai ka rezultuar sërish pozitiv në testimet e kryera dje (e mërkurë).

Nesër (e premte) do të bëhen dhjetë ditë qëkur rezultoi pozitiv, ashtu që nëse testimi i tij del negativ, 35-vjeçari mund të dalë nga izolimi.

(Foto: Instagram/cristiano)

Gazeta portugeze Correio da Manha bën të ditur se testimi ka treguar një ngarkesë të vogël virale, përkundër se ka dalë pozitiv, ashtu që Juventusi akoma nuk ka hequr dorë nga mundësia që ta ketë futbollistin kryesor në përballje me rivalin e vjetër, Lionel Messi.

Në bazë të protokollit të UEFA-s, dje (e mërkurë) ka qenë afati i fundit kur Zonja e Vjetër është dashur ta dorëzojë dokumentacionin për t’ia dhënë dritën e gjelbër Cristianos për të luajtur ndaj Blaugranëve.

(Foto: Instagram/cristiano)

Mirëpo, duke qenë se në testin e tij sasia virale ka qenë e pakët dhe në rast se në testimin e radhës del negativ, atëherë testimi i djeshëm mund të konsiderohet si ‘fals pozitiv’. Megjithatë, pritet të vijë përgjigja zyrtare e UEFA-s lidhur me këtë çështje.

Sipas Corriere Torino, Juventusi e ka njoftuar UEFA-n se Cristiano nuk ka simptoma të coronavirusit. Në këtë rast, sipas njoftimit, testimi pozitiv 24 orë para ndeshjes do të mjaftojë që ai të luajë kundër Barcelonës. /Telegrafi/