Site icon Telegrafi

Julian Assange mund të arrijë marrëveshje për pranimin e fajësisë

Ambasadorja amerikane në Australi, Caroline Kennedy ka lënë të kuptohet se mund të ketë një marrëveshje për pranimin e fajësisë nga themeluesi i Wikileaks, Julian Assange.

E pyetur nga “Sunday Morning Herald” nëse ishte e mundur që SHBA-ja dhe Australia të arrinin një marrëveshje diplomatike për Assange, ajo tha se “rasti po shqyrtohet ” dhe se me të po merret Departamenti i Drejtësisë.

“Pra, nuk është vërtet një çështje diplomatike, por mendoj se mund të ketë një zgjidhje”, tha Caroline Kennedy në një intervistë për gazetën australiane.

Ajo komentoi deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken se akuzat ndaj Assange janë serioze dhe se ai ka rrezikuar sigurinë kombëtare të SHBA-së duke publikuar informacione të klasifikuara.

“Por, ka një mënyrë për ta zgjidhur atë”, theksoi ambasadorja amerikane, raporton thetimes.

Lexo po ashtu Kryeministri australian, Albanese kundër amerikanëve për ekstradimin e Assange: Mjaft është mjaft

Gabriel Shipton, vëllai i Julian Assange, deklaroi se “Caroline Kennedy nuk do t’i kishte thënë këto gjëra nëse nuk dëshironte një rrugëdalje nga kjo situatë”.

Assange, shtetas australian i burgosur në Britani të Madhe, po lufton kundër ekstradimit në SHBA, ku e presin 18 akuza për publikimin e dosjeve të klasifikuara ushtarake amerikane dhe kabllogrameve diplomatike që ekspozojnë krimet e luftës të kryera nga forcat amerikane. /Telegrafi/

Exit mobile version