Telegrafi

Jovanovksi: Vazhdon edhe gjatë natës bllokimi i rrugëve në Shkup

Autobusët privat do të bllokojnë rrugët edhe gjatë natës. Autobusët janë parkuar në kryqëzimin te QT “Mavrovarja” dhe kryqëzimi i rrugës “Kryqi i Kuq” dhe “Ilindeska”, por i gjithë qyteti ka ngelur i pakalueshëm.

Kryetari i Shoqatës “Sloboda Prevoz”, Lenin Jovanovski theksoi se do të bllokojnë rrugët derisa kryetarja e Qytetit të Shkupit ose ndonjë nga administrata e qytetit nuk i thirrën për të biseduar për të zgjidhur problemin me borxhin për afër dy milionë euro që kanë te ata.

“As kryetarja e Shkupit, as shërbimet e qytetit, as nga NTP nuk na kanë thirrur. Bllokada do të vazhdojë derisa të përmbushen kërkesat tona, nuk ka lëshim, autobusët nuk do t’i largojmë nga vendi”, tha për “A1on”, Jovanovski.

Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska javën e kaluar njoftoi se nuk ka ndëmerd t’i takojë përfaqësuesit e shoqatës së autobusëve privat dhe se nuk dëshiron të takojë persona që ofendojnë./Telegrafi/