Telegrafi

Jovanoviq: Nëse ne se zgjidhim agoninë kosovare, këtë do ta bëjnë amerikanët pa ne

Ditën e parë të luftës në vitin 1999 shkuam dhe vramë në Prishtinë. U hynim anëtarëve të Komitetit për të drejtat e njeriut në shtëpi dhe ua nxirrnim nga banesat etërit dhe bijtë. E therëm Fehmi Aganin, ia vramë gjysmën e familjes Agim Çekut… kështu thotë në një intervistë për revistën “Nedeljnik”, lideri i Partisë Liberale-Demokratike serbe, Çedomir Jovanoviq.

“Deri në shtator të vitit të ardhshëm duhet ta zgjidhim agoninë kosovare ose amerikanët dhe Evropa do ta bëjnë këtë pa ne”, thotë ai. “Vuçiqi thotë: duhet patjetër ta zgjidhim Kosovën. Po, unë këtë e flas tërë jetën!”

Për kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, Jovanoviqi thotë se “ka më shumë pushtet se gjermanët kur e pushtuan Serbinë në vitin 1941”. Por, parashikon se “as ai s’e ka shumë të gjatë”.

“Ne kemi ministër të punëve të Jashtme të cilit bashkëpunëtorja ia përkthen se çfarë flet kryetari i tij në OKB. Daçiqi madje as Vuçiqin s’e kupton. Dhe për ne kjo është normale. Ose na duket normal Vuçiqi i cili i bën të gjitha ato që i bën”, shton ai. “Ne e bëmë shkrumb një vend, vramë qytete të tëra. Ajo e keqe është këtu në ne. Kur do ta kemi luftën e radhës, se po bëhen 20 vjet që s’kemi pasur? Tamam të na rriten fëmijët për pushkë”. /Gazeta Express/