Dueli ndërmjet Anthony Joshuas dhe Wladimir Klitschkos ishte një spektakël boksi, për të cilin do të flitet shumë gjatë. Mirëpo, pjesë e artikujve mediatikë këto ditë është bërë edhe Vitali Klitschko, vëllai i madh i boksierit ukrainas, i cili ka qenë po ashtu kampion bote në boks.
Në fund të përballjes ndërmjet Joshuas dhe Wladimirit, u krijua një kaos, por edhe për pak sa nuk ndodhi një përleshje ndërmjet britanikut dhe Vitalit, për faktin se ky i fundit kishte hyrë në ring dhe kishte ndërruar fjalë me Joshuan.
Shumëkush e ka humbur këtë detaj, mirëpo disa fotografi të publikuara, shfaqin momentin kur Anthony Joshua dhe Vitali Klitschko duket sikur këmbejnë fjalë dhe shikime aspak miqësore.
Promovuesi i boksit, Eddie Hearn, tash ka treguar se zënka ndërmjet tyre kishte nisur përpara meçit.
“Vitali kishte hyrë në zhveshtoren kundërshtare duke u përpjekur që ta shpërqendrojë. Pastaj, ai filloi t’ia ngulte sytë Joshuas në ring, ndërsa edhe Joshua filloi t’ia ngulte sytë atij. Kur Joshua është në ring, ai është i tmerrshëm. Jashtë ringut ëhstë një djalosh i këndshëm, por në ring…”.
“Vitali dhe Joshua për pak sa nuk u përleshën pas meçit. Joshua shkoi te Wladimiri për ta falënderuar, ndërsa Vitali i nevrikosur e shtyri. Anthony u nervozua pas këtij veprimi dhe është e çuditshme si nuk erdhi deri te përleshja”, ka deklaruar promovuesi i njërit prej dueleve më të mëdha të boksit në dekadën e fundit.
“Jam krenar me vëllanë tim, ishte dueli më i mirë në karrierën e tij. Fatkeqësisht, vetëm rezultati nuk ishte i mirë. Nuk është plakur, ishte më i mirë se kundërshtari 14 vjet më i ri se ai”, ishte shprehur Vitali Klitschko, i cili e ka përfunduar karrierën para pesë vitesh – ndërsa aktualisht është kryetar i komunës së Kievit.
Më poshtë, mund t’i rishikoni momentet nga dueli ndërmjet Anthony Joshuas dhe Wladimir Klitschkos. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=uHXdATvyNjM