Telegrafi

Joshua akuzohet se mendon vetëm për paratë, pas komenteve për të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite

Anthony Joshua (Foto: Getty Images/Guliver)

Anthony Joshua ka nxitur kritika të shumta pas komenteve të tij në lidhje me të drejtat njerëzore ne Arabinë Saudite, në veçanti lidhur me qasjen ndaj homoseksualëve.

Ish-kampioni i botës në kategorinë e peshave të rënda në dhjetor do të ndeshet me Andy Ruiz Jr në rimeçin mes tyre, në përpjekje që t’i kthejë titujt e humbur.

Porse vendimi që dueli të zhvillohet në Arabinë Saudite, ka nxitur reagime të shumta për shkak se thuhet që ai vend i shkel të drejtat e njeriut.

Ndërsa gjatë një interviste për BBC, i pyetur për të drejtat e homoseksuale (pasi thuhet se në Arabinë Saudite homoseksualizmi dënohet me vdekje), boksieri theksoi se duhet të respektohen ligjet e një vendi dhe se ata që nuk mund të udhëtojnë atje e kanë mundësinë ta shohin meçin në televizor.

Lexo po ashtu "Dënimi me vdekje" për homoseksualët në Arabinë Saudite, Joshua: Nëse nuk mund të vini, mund ta shikoni meçin në televizor

“Ekzistojnë politika të caktuara në atë vend dhe ekzistojnë politika të cilat thjesht duhet t’i zbatojmë, ndërsa unë e respektoj ligjin dhe kështu janë gjërat në vende të caktuara. Nëse nuk mund të vini atje, akoma mund ta shikoni (meçin), jeni të hapur për mbështetje dhe unë e vlerësoj mbështetjen tuaj nga cilido komunitet”, ishte deklarata e Joshuas.

Menjëherë ka ardhur reagimi i tifozëve, të cilët i kanë kërkuar që ta anulojë meçin, ndërsa shumë prej tyre e kanë akuzuar se ai po bën gjithçka vetëm për të fituar sa më shumë para.

“Të drejtat njerëzore, mos më bëni të qesh. Atij nuk i interesojnë ato. Mi tregoni paratë, gjithçka është për to”; “Sa i tmerrshëm është ky qëndrim. Ai duhet ta anulojë meçin”; “Është vërtet pikëlluese kjo që i ka ndodhur AJ”; “Rrëmbyes parash” – janë disa prej komenteve në rrjetet sociale. /Telegrafi/