Anthony Joshua e ka çuar boksin në një tjetër nivel me ndeshjet e tij në stadiumet e futbollit.
Pjesëmarrje masive e denjë për finalen e një kupe bote dhe përfshirja e të gjitha shtresave.
Me numrat e fundit boksieri britanik ka vendosur të tjera limite pasi, numëroi 250 mijë spektatorë në vetëm tre ndeshje të zhvilluara në harkun e 11 muajve.
Fitorja e fundit ndaj Joseph Parker ishte disi e mërzitshme, pasi të gjithë prisnin një nokaut, por u detyruan të kënaqen me suksesin me pikë të boksierit ishullor.
Por, kjo nuk ia heq aspak shkëlqimin një gjiganti të superpaguar që jeton ende me mamanë e tij.
Kjo është skuadra e Anthony Joshua. Pikërisht kjo skuadër ka tashmë një objektiv të ri në radarin e saj, pasi duhet të bindë promotorët e Deontay Wilder, që të firmosin një përballje mes dy protagonistëve të ringut.
Firma vlen 100 milionë funte dhe sipas mediave britanike, negociatat janë në rrugë të mbarë.
Trajneri Rob McCracken i ka dhënë nëntë pikë nga 10 të mundshme boksierit të tij për fitoren e fundit, një sukses i kulturuar, i zakonshëm, por gjithsesi që vlen një tjetër brez prestigjioz, në pritje të sfidës me Deontay Wilder. /TCh/