Telegrafi

Jorginho: Kam jetuar me 20 euro në javë, agjenti im i merrte të gjitha fitimet

Jorginho (Foto: Jordan Mansfield/Getty Images/Guliver)

Jorginho ka dhënë një intervistë për Chelsea TV duke treguar për kohët e vështira që kishte kaluar në Brazil dhe se si përfundoi te Hellas Verona në Itali.

Mesfushori braziliano-italian ka treguar se si e kishte kaluar javën me 20 euro kur filloi karrierën si futbollist, por ka folur edhe për periudhën e vështirë gjatë kalimit në Itali.

“Një agjent më zbuloi në Brazil, kështu që unë shkova në shkollën e tij dhe kalova dy vite aty. Kur isha 15-vjeçar, ai aranzhoi një provë për mua te Hellas Verona, që e kalova me sukses”, ka thënë fillimisht Jorginho.

Jorginho (Foto: Alex Grimm/Getty Images/Guliver)

“Unë e takova atje Rafaelin dhe u bëmë shokë. I kam treguar atij se si e kam kaluar javën me 20 euro. Ai më tha: ‘Prit një minutë, diçka nuk shkon’. Ai bëri disa kërkime për mua, duke gjetur se agjenti im merrte para pa dijeninë time”.

“Në atë pikë, doja të largohesha nga futbolli, isha plotësisht i shkatërruar. Kam thirrur në shtëpi me lot në sy dhe nëna ime më tha që të mos kthehesha mbrapa, pasi isha afër arritjes së qëllimeve”, ka shtuar më tej mesfushori italian.

Jorginho u bë i njohur te Napoli, ku më pastaj Maurizio Sarri e transferoi te Chelsea, e që tashmë është njëri ndër mesfushorët më të mirë në qarkullim. /Telegrafi/