Sir Alex Ferguson ishte jashtëzakonisht me ndikim në formësimin e karrierës së Cristiano Ronaldos për tu bërë një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, dhe ish-trajneri i Manchester Unitedit ishte arsyeja që ai nënshkroi me lojtarin.
Gjatë kohës së tij në United, superylli portugez erdhi si një talent premtues, por u largua si një nga lojtarët më të mirë në botë, duke fituar edhe Topin e Artë.
Arsyeja kryesore e transferimit të Ronaldos në Old Trafford ishte pikërisht trajneri Ferguson dhe këtë e ka zbuluar agjenti i portugezit, Jorge Mendes.
“Kam mbajtur gjithmonë mendimin se trajneri është, në fund të fundit, përbërësi më i rëndësishëm në çdo transferim. Cristiano Ronaldo është një shembull i përsosur”, ka thënë fillimisht Mendes për Sport Business.
“Çdo klub e dëshironte atë, por ata të gjithë donin që ai të kishte edhe një sezon tjetër si i huazuar te Sporting”.
“I vetmi person që dukej i gatshëm ta transferonte menjëherë ishte Sir Alex Ferguson dhe, në atë kohë, unë nuk pata dyshim se ishte zgjidhja më e mirë”.
“Vendimi im, i bërë pa u menduar dy herë, ishte se Manchester Unitedi ishte klubi ideal për të”.
“Jam i sigurt që, nëse Cristiano Ronaldo do të kishte mbetur në Sporting, ai nuk do të kishte luajtur gjysmën e ndeshjeve që ai luajti te Unitedi në sezonin e parë, në fund të së cilit, ai u votua si lojtari më i mirë i ekipit nga tifozët”, përfundoi agjenti.
Ndryshe, Ronaldo kushtoi 12.24 milionë funte, që ishte një çmim rekord botëror për një adoleshent në atë kohë dhe iu dha numri i famshëm shtatë te Unitedi. /Telegrafi/