Site icon Telegrafi

Jolien nuk e ndal as shiu për t’i vizituar refugjatët sirianë, kërkon veprimin e liderëve botërorë (Foto)

Angelina Jolie ka folur nga zemra gjatë fjalimit të saj në një konferencë për shtyp, jashtë një kampi refugjatësh sirianë në Liban, të cilin e ka vizituar të martën.

Aktorja e famshme ka kërkuar nga liderët botërorë që t’i ndihmojnë miliona njerëzit e zhvendosur si pasojë e luftës që po zgjat qe disa vite në Siri.

Yllin hollivudian nuk e ka penguar shiu që të shkonte në kampin në Fayda, në Bekaa Valley të Libanit, në përvjetorin e pestë të konfliktit, njofton Telegrafi.

E dërguara e posaçme e UNHCR u ka thënë gazetarëve se do t’i pëlqente që në këto çaste të ishte në Siri dhe t’i shikonte refugjatët duke u kthyer dhe jo t’i shikonte në këtë gjendje.

“Është tragjike dhe e turpshme që jemi shumë larg atij momenti (të kthimit)”, ka thënë 40-vjeçarja duke shtuar se 6.5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Sirisë dhe janë 4.8 milionë refugjatë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore. Shumica e të zhvendosurve janë gra dhe fëmijë.

“E kuptoj se njerëzit në vende të ndryshme kanë frikë nga situata e refugjatëve… Por, ne nuk duhet të lejojmë që frika të dominojë në vendimmarrjen tonë”, ka theksuar Jolie duke iu referuar vendeve evropiane që janë kundër pranimit të refugjatëve. /Telegrafi/

Exit mobile version