Kryeministri britanik Boris Johnson ka fituar sot edhe një betejë, atë të mocionit të mosbesimit, por me një diferencë shumë të vogël.
Johnson do të vazhdojë të jetë kryeministër, por autoriteti i tij është zbehur dukshëm, transmeton Telegrafi.
Siç raporton Reuters, Johnsonin e mbështetën 211 deputetë, kurse 148 tjerë votuan kundër tij, ka bërë të ditur Graham Brady, kryetar i Komitetit që mbikëqyri votimin.
Johnson siguroi mbështetjen e 59 për qind të votave të deputetëve të tij, madje kjo përqindje ishte më e ulët sesa ajo që e kishte arritur paraardhësja e tij Theresa May kur në votëbesim fitoi 63 për qind – pra në mocionin e iniciuar kundër saj në vitin 2018.
Johnson në vitin 2019 u shpall kryeministër i Britanisë së Madhe, por së fundmi është në presion të madh pas raportimit për organizim të ahengjeve në kohën e pandemisë së COVID-19, kur kishte kufizime në tërë këtë shtet evropian. /Telegrafi/