Ish-bashkëlojtari i Zlatan Ibrahimovicit te LA Galaxy, Joao Pedro, e ka kujtuar qëndrimin e sulmuesit në MLS të shoqëruar me mburrje të shpeshta dhe kërcënime të çuditshme me vdekje.
Ish-sulmuesi i Ajaxit, Juventusit, Interit, Barcelonës, Milanit, Paris Saint-Germainit dhe Manchester Unitedit, kaloi dy sezone në Amerikë, pas largimit nga Old Traffordi në vitin 2018.
Në 56 ndeshje të zhvilluara, Ibra i shënoi 52 gola, megjithatë rezultati i përgjithshëm i klubit ishte zhgënjyes. Ai është kthyer te Rossonerët, mirëpo qëndrimi i tij në Los Angeles do të mbahet mend gjatë.
“Kishim një ndeshje në udhëtim te Houston Dynamo. Ishim në epërsi 1-0, ata u kthyen, ne barazuam 2-2, në minutat e fundit, ata shënuan për 3-2. Në fund të ndeshjes, ai (Zlatan) na ‘poqi’”.
“(Na tha): ‘Nëse keni ardhur këtu që të shëtitni në plazh, shkoni rreth Hollywoodit, vetëm tregoni, por tregoni tash. Kam 300 milionë euro në bankë, një ishull, nuk kam nevojë për këtë. I pari që do ta hapë gojën do ta vras, vërtet do ta vras’”, ka cituar Joao Pedro fjalët e Ibrahimovic.
Në një prononcim për Record, portugezi ka thënë se edhe në stërvitje, Zlatan gjithmonë dëshironte të ishte në qendër të të vëmendjes dhe bënte shaka me të tjerët.
“Luanim një ndeshje stërvitore 11 ndaj 11 dhe dikush pyeti: ‘Kush do ta nisë topin?’. Asistenti tha: ‘Joao Pedro, sepse sot e ka ditëlindjen’. Ibrahimovic iu kthye atij dhe i tha: ‘Çdo ditë është ditëlindja ime. Ma jep topin’. Dhe qeshi”, ka thënë Pedro. /Telegrafi/