Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, gjithmonë e ka bazuar mandatin e tij në transferimet e emrave të mëdhenj duke i përdorur ata që të rrisë emocionet tek tifozët dhe mundësinë për të fituar tituj ndërsa tani ka vënë në ‘shënjestër’ një objektiv të ri.
Nuk është hera e parë që Erling Haaland lidhet me një transferim të mundshëm tek blaugranasit dhe tani duket që Laporta është i etur të bëjë një përpjekje të dytë për transferimin e yllit norvegjez.
Sipas mediumit Sport, Laporta e ka zgjedhur Haalandin si objektivin e tij kryesor për ta udhëhequr vijën e sulmit.
Nico Williams mbetet po ashtu një opsion dhe nëse kushtet mbesin të njëjta sa i përket klauzolës së tij të lirimit dhe kërkesave për pagë, atëherë transferimi i tij do të konsiderohet.
Laporta e sheh Haalandin si një blerje strategjike do të synojë ta sjellë atë në klubin katalunas ose në vitin 2025 ose në vitin 2026.
Raporti i tyre me agjenten e lojtarit Rafaela Pimenta është i mirë dhe mendojnë se kjo mund të punojë në favorin e tyre.
Barcelona kishte tentuar transferimin e Haalandit edhe gjatë vitit 2021, por financiarisht nuk ishin në gjendje ta përballojnë marrëveshjen./Telegrafi/