Edon Zhegrova pritet të largohet nga Lille gjatë afatit kalimtar veror, për të bërë një hap para në karrierën e tij.
Sulmuesi kosovar është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer këtë edicion pasi ka impresionuar me gola dhe asistime.
Falë paraqitjeve spektakolare me fanellën e Lille, për Zhegrovën interesim kanë shprehur skuadra të mëdha kryesisht nga Italia si Juventus dhe Napoli.
Por së fundmi në garë për yllin dardan është futur edhe gjiganti tjetër italian Roma.
Il Tempo ka shkruar se Roma e sheh Zhegrovën si futbollistin ideal për krahun e djathtë të sulmit dhe po e përcjell ecurinë e tij.
Giallorosët kanë synim t’i marrin dy sulmues anësorë dhe përveç Federico Chiesas ata duan transferimin edhe të Edon Zhegrovës.
25-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 45 ndeshje zyrtare teksa ka shënuar 12 gola dhe ka asistuar në nëntë të tjerë.
Lille është i hapur ta shes kosovarin, por synon që nga largimi i tij të fitojë mbi 25 milionë euro. /Telegrafi/