Site icon Telegrafi

Jevtiq: Listës Serbe nuk është duke i interesuar çështja e demarkacionit me Malin e Zi

Demarkacioni me Malin e Zi aktualisht nuk është duke i interesuar Listës Serbe, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtiq.

Megjithatë, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, ai ka thënë se kishte pasur një diskutim të mëhershëm mbi këtë temë, jo vetëm me përfaqësuesit shqiptarë, por edhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“Ka gjithashtu presione për të mbështetur ratifikimin e demarkacionit”, ka theksuar Jevtiq.

“A kemi biseduar për këtë temë? Po. Përgjigja jonë është se ne nuk jemi të interesuar aktualisht, se nuk ishte objekt i marrëveshjes sonë të koalicionit, në fund të fundit. A ka iniciativa të caktuara dhe presione edhe nga ndërkombëtarët? Ka, ata po na kërkojnë të mbështesim këtë proces”, citohet të ketë thënë Jevtiq në një intervistë për RTV Kim.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të jenë të pranishëm në seancën e së martës në Kuvend, ku në rend dite është Demarkacioni me Malin e Zi. /Telegrafi/

Exit mobile version