Organizata Jeta Vita, anetare e koalicionit K10 i udhëhequr nga Action for Mothers and Chilren ka arritur të sigurojë një donacion të rëndësishëm për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, përmes partneritetit me organizatën gjermane ABC Breast Care.
Ky donacion përfshin mbi 200 gjoksore dhe 150 proteza, të cilat po shpërndahen sot në Klinikën Onkologjike.
Kjo iniciativë ka si qëllim të ndihmojë gratë që po përballen me sfidat fizike dhe emocionale të kësaj sëmundjeje. Dhurimi i gjoksoreve dhe protezave do t’u ofrojë atyre një ndihmë të rëndësishme për t’u ndier më mirë emocionalisht, duke kontribuar kështu në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Në ceremoninë e shpërndarjes, përfaqësuesit e Jeta Vita, AMC dhe Klinikës Onkologjike theksuan rëndësinë e mbështetjes për gratë që luftojnë me kancerin e gjirit dhe vlerësuan kontributin e ABC Breast Care në këtë proces.
“Ky donacion është një hap i rëndësishëm në ofrimin e mbështetjes fizike dhe emocionale për gratë që përballen me këtë sëmundje. Ne jemi të lumtur që mund të kontribuojmë në këtë kauzë dhe të bëjmë një ndryshim pozitiv në jetën e tyre,” tha Nafije Latifi, Drejtore e Jeta Vita.
Realizimi i këtij donacioni është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër kancerit. Ne inkurajojmë të gjithë që të mbështesin iniciativa të tilla për të ndihmuar gratë në nevojë.