Mark Sinclair është emri i vërtetë i Vin Diesel, aktorit të famshëm amerikan, i cili është edhe producent, regjisor dhe skenarist.
I lindur në vitin 1967 në Kaliforni, 50-vjeçari është më së shumti i njohur për rolin e Dominic Torettos në filmat “The Fast and the Furious”, pastaj rolin e Richard B. Riddick në filmat “The Chronicles of Riddick”, si edhe portretizimin e Xander Cage në filmat “xXx”. Ai është njëherësh edhe producent i disa prej këtyre projekteve.
Diesel ka lindur në qarkun Alameda të Kalifornisë së bashku me vëllanë e tij binjak, Paul. Nëna e tij, Delora Sherleen (Sinclair) Vincent, është astrologe. Aktori ka origjinë të përzier ndëracore, ndërsa asnjëherë nuk e ka njohur babanë e tij.
Vëllai i aktorit ka qëndruar larg fokusit të medias, ashtu që gazetarët janë interesuar vazhdimisht që ta gjenin se kush ishte ai. Kjo bëri që në publik të qarkullonte fotografia e një personi për të cilin thuhej se ishte vëllai i tij.
Kjo gjë e detyroi Dieselin që ta publikonte fotografinë e vërtetë të vëllait për të sqaruar se personi që po qarkullonte deri atëherë në media nuk ishte vëllai i tij. Për koincidencë, emri i vëllait të Diesel është Paul, njësoj sikurse ai i aktorit të ndjerë Paul Walker, i cili ishte shumë i afërt me Vin.
Dhe pikërisht fotografia që e publikoi Diesel ishte një pozë e përbashkët e dy “Paul-ave” – aktorit të “The Fast and the Furious” që humbi jetën në një aksident me veturë dhe e vëllait të Vin.
“E shihni… edhe djaloshi tjetër në fotografi quhet Paul…dhe megjithëse ata ngjajnë më shumë me njëri-tjetrin, ai në fakt është vëllai im binjak”, kishte shkruar aktori në publikimin e fotografisë.
Vin është rritur në qytetin e New Yorkut nga nëna e tij e bardhë dhe njerku afro-amerikan Irving H. Vincent, një instruktor aktrimi dhe menaxher teatri.
Debutimi i Diesel në aktrim ishte në moshën shtatëvjeçare në teatër. Në fakt, karriera e tij ka nisur në një mënyrë interesante. Ai së bashku me vëllanë dhe disa shokë kishin hyrë në teatër për ta vandalizuar, mirëpo ishin përballur me drejtorin artistik të teatrit, Crystal Field. Ndërsa ai, në vend se ta thërriste policinë, u kishte ofruar role teatrale këtyre fëmijëve në shfaqjen “Dinosaur Door”.
Gjatë adoleshencës, aktori vazhdoi të ishte i lidhur me teatrin ndërsa studioi në Hunter College, ku e mësoi shkrimin kreativ dhe filloi të shkruante skenarë. Në vitet e para të karrierës, Vin e kishte të vështirë të gjente role për shkak të origjinës së tij të përzier.
Roli i parë filmik për të ishte një paraqitje e vogël në “Awakenings” (1990). Më pas, Diesel shkroi skenarin, bëri regjinë, ishte producent dhe aktori në filmin e shkurtër dramatik “Multi-Facial” (1994), që ishte një formë gjysmë-autobiografie për aktorin.
Pikërisht ky film e kishte bindur Steven Spielbergun që ta angazhonte aktorin në filmin e suksesshëm “Saving Private Ryan” (1998), nga ku edhe nisi ngritja e karrierës së tij dhe ai tashmë është një aktor shumë i kërkuar.
Sa i përket jetës private, në vitin 2011, Vin ka qenë në lidhje me bashkaktoren nga “Fast and the Furious”, Michelle Rodriguez. Me partneren aktuale, modelen Paloma Jimenez, kanë tre fëmijë, vajzën Hania Riley (të lindur në vitin 2008), djalin Vincent Sinclair (të lindur në vitin 2010) dhe vajzën e vogël Pauline (e lindur në vitin 2015), të cilën e ka pagëzuar për nder të Paul Walker, i cili vdiq në nëntor të vitit 2013. Ai është po ashtu kumbara i vajzës së Walker, Meadow Rain Walker. /Telegrafi/