Prej më shumë se 40 ditësh, mbreti i lojërave të fatit në Shqipëri, Ervis Martinaj është zhdukur.
Zhdukja e tij ka vënë në lëvizje jo vetëm institucionet e drejtësisë, por edhe politikën.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shumë shpejt do kemi një përgjigje për fatin e tij, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha para gazetarëve se Rama e di ku ndodhet mbreti i lojërave të fatit dhe akuzoi prokurorinë se nuk po vepron.
Vis Martinaj është me origjinë nga Mali i Zi. Ai ka lindur në Burrel dhe më pas është vendosur në zonën e Fushë-Kuqes.
Studimet i ka kryer në Itali dhe më pas u kthye në Shqipëri për t’iu futur biznesit të lojërave të fatit.
Për këtë biznes ai kishte edhe licencë. Vis Martinaj nuk është historia e një djali të thjeshtë që u përfshi befas në biznes. Ai vinte nga një familje me potencial ekonomik.
Në vitin 2013, emri i tij u lakua për herë të parë për vrasjen e Ervin Docit. Emri i doli sërish në skenë në vrasjen e ish-Bllokut në vitin 2018. Ai u arrestua për pak kohë dhe u lirua sërish.
Në akt-ekspertizën e autoriteteve izraelite është thënë se Vis Martinaj kishte video, audio dhe mesazhe të shkëmbyera me njerëz të rëndësishëm dhe kjo besohet se ka qenë arsyeja që e mbante bosin e lojërave të fatit të paprekur nga drejtësia.
Përmes shantazhit dhe presionit ndaj pushtetarëve dhe biznesmenëve, ai ia dilte të kishte gjithçka nën kontroll.
Vis Martinaj është baba i 4 fëmijëve. Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se familja e tij i ka hequr fëmijët nga shkolla ku mësonin në Tiranë për arsye sigurie.
Nuk dihet nëse familja e bosit të lojërave të fatit është marrë në mbrojtje nga autoritetet. /Euronews Albania/