Këngëtarja e njohur, Anjeza Shahini, do të bëhet nënë për herë të parë. Këtë lajm të bukur e ka treguar vet ajo nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku shfaqet duke dalë nga pishina me barkun e rrumbullakosur, vetëm dy muaj pasi festoi trevjetorin e martesës.
Anjeza tregoi se mungesa e saj në rrjetet sociale ishte pikërisht fakti se është në pritje të ëmbël dhe se ka qenë duke u kujdesur për veten në muajt e parë të shtatzënisë.
“A duket barku im i madh me këtë veshje? Kërkoj ndjesë për mungesën në Facebook dhe Insta, miqtë e mi, por siç e shikoni, kam qenë pak e ngarkuar!”, shkruante në postimin e saj.
Ndërkohë kujtojmë se, pas martesës me diplomatin Paul Edward Conolly, Anjeza u shpërngul drejt Anglisë dhe u largua nga skena shqiptare, duke lënë pas kështu një karrierë të gjatë, nëse i referohemi moshës si adoleshente kur u shfaq për herë të parë në “Ethet e së premtes mbrëma”.
Prej kohësh, këngëtarja është larguar nga Shqipëria për të jetuar me bashkëshortin e saj, me të cilin u njoh në Tiranë, gjatë kohës që ai punonte si diplomat. Edhe pse nuk shohim shumë postime nga jeta e saj e përditshme në rrjetet sociale, ajo bëri një postim në trevjetorin e martesës, ku publikoi një fotografi me bashkëshortin dhe la një dedikim të shkurtër për dashurinë e tyre.
“Ky është një çift i lumtur dhe i martuar prej tre vitesh. Gëzuar përvjetorin tonë! Tre vjet martuar. Çifti i lumtur jemi ne”, shkruante Anjeza. E duket se Anjeza është duke shijuar familjen e saj jashtë Shqipërisë, një jetë e re për të, që nga viti 2015, kur u martua në një ceremoni private në Toscana të Italisë.
Pas katër vitesh histori të bukur dashurie me Connolly, këngëtarja u martua në një ceremoni shumë private. Gjithçka ishte mbajtur sekret nga artistja, deri kur dasma përfundoi dhe ajo i befasoi miqtë e kolegët me fotografitë nga ceremonia private e organizuar në Villa di Corliano.
Këngëtarja vendosi të martohej larg vëmendjes së publikut dhe me të ftuar vetëm njerëzit më të afërt të çiftit, disa muaj pasi mori propozimin në Venecia. Në ceremoninë e dasmës së saj ra në sy mungesa e kolegëve, për faktin se ajo donte të organizonte ceremoni krejtësisht private, duke mos veçuar asnjërin prej tyre.
Anjeza dhe Paul u njohën në vitin 2011 në Tiranë, kur diplomati anglez punonte në Shqipëri. Historia e tyre e dashurisë është komentuar si ndër më specialet, edhe pse në periudha të caktuara ata kanë qenë në distancë pas rikthimit të tij në Angli. Edhe pse ai ishte fansi i saj si këngëtare, nuk dihet nëse do ta mbështesë vazhdimin e saj të karrierës si këngëtare pasi të bëhen prindër.