Telegrafi

“Jerusalemi”: SHBA paralajmëron Abbas, Hamas thirrje për intifadë të re

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar palestinezët të mos anulojnë bisedimet me zv/presidentin Mike Pence, pasi Uashingtoni njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Do të ishte kundër-produktive që bisedimet mes zotit Pence dhe presidentit palestinez Mahmoud Abbas të mos zhvilloheshin, thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë. Zv/presidenti Pence do t’i drejtohet Lindjes së Mesme në gjysmën e dytë të dhjetorit dhe agjenda e tij do të përfshijë ndalesa edhe në Izrael dhe Egjipt.

Deklarata e presidentit Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, shkaktoi pakënaqësi në radhët e palestinezëve dhe mbarë botës.

Protesta të dhunshme u organizuan në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku të paktën 31 palestinezë mbetën të plagosur nga përplasjet me ushtrinë izraelite, transmeton oranews.

Grupi islamist palestinez Hamas ka kërkuar lindjen e një intifade të re, pra kryengritje kundër vendimit të presidentit Trump, ndërkohë që priten protesta të reja në territoret palestineze edhe gjatë ditës së sotme.