Izraeli dhe Kosova do të krijojnë marrëdhënie të plota diplomatike të hënën, shkroi ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla në profilin e saj zyrtar.
Marrëdhëniet Izrael-Kosovë erdhën si pjesë e një marrëveshjeje të udhëhequr nga Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump më 3 shtator, që Kosova dhe Serbia të nisin lidhje ekonomike midis të dyja vendeve.
Këto marrëveshje përfshinin gjithashtu normalizimin midis Izraelit dhe Kosovës dhe që të dyja shtetet e Ballkanit të hapnin ambasada në Jeruzalem.
E përditshmja izraelite Jerusalem Post shkruan se në muajin shtator, burime të afërta me presidentin serb Aleksandër Vuçiq e kishin bërë të qartë se nëse Beogradi hap një ambasadë në Jeruzalem, Serbia do të priste që Izraeli të mos e njihte Kosovën si shtet të pavarur – megjithëse mund të mbante lidhje të nivelit më të ulët.
Sipas gazetës, duke iu referuar burimit, Serbia mund ta hapte ambasadën në Jeruzalem, siç përcakton marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, por marrëdhëniet me Izraelin do të degradohen.
Kosova do të ishte vendi i parë me shumicë myslimane që do ta vendosjte ambasadën e saj në Izrael në Jeruzalem dhe bashkë me Serbinë do të ishin vendet e para evropiane që e bëjnë këtë.
Deri tani, vetëm SHBA-ja dhe Guatemala kanë ambasadat e tyre në Jeruzalem. Shumica e vendeve kanë zgjedhur t’i vendosin dhe t’i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv. /Telegrafi/