Telegrafi

I jepet lamtumira e fundit ​Xhevdet Bajrajt, Kurti: Poet e njeri i papërsëritshëm

Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të poetit Xhevdet Bajra, i ndarë nga jeta më 22 qershor të këtij viti.

“Erdhëm këtu që t’i japim lamtumirën e fundit dhe të vendosim lule të freskëta te varri i poetit të madh të popullit tonë, Rahovecit, të Kosovës, të letërsisë dhe artit shqip”, ishin fjalët e para të kryeministrit pas përfundimit të ceremonisë së varrimit.

Kurti tha se ai ishte poet dhe njeri i papërsëritshëm, që e ka dashur shumë tokën, natyrën, qiellin, zogjtë e lirinë.

“E ka dashur popullin e shoqërinë e në veçanti e ka dashur Rahovecin dhe rrushin, andaj, ai do të prehet këtu i qetë, por vepra e tij, poezia e tij, do të jetojë shumë, shumë gjatë e po aq gjatë edhe do të studiohet nga brezat që vijnë”, u shpreh Kurti.

Poeti Xhevdet Bajraj ka vdekur në moshën 62-vjeçare.

Bajraj që nga lufta në Kosovë u vendos në Meksikë, ku edhe vdiq.

Sipas familjarëve, në dy muajt e fundit ai vuante nga një sëmundje.

Gjatë karrierës si tij, ka marrë disa çmime letrare.

Poezia e tij është përkthyer në disa gjuhë, dhe është përfshirë nëpër disa antologji të ndryshme në gjuhën shqipe, spanjollë, serbe dhe angleze.