I është dhënë lamtumira e fundit ish-ushtarit të UÇK-së, nënoficerit të FSK-së, Baki Ejupit, i cili ndërroi jetë të martën. Në ceremoninë e varrimit u tha se njerëzit si Bakiu, janë të rrallë.
Me nderime më të larta të shteti iu dha lamtumira e fundit, nënoficerit të FSK-së, Baki Ejupit në fshatin Sekiraqë të Podujevës.
“I ri në moshë iu bashkove radhëve të UÇK-së për të vazhduar 21 vite me radhë në shërbim të atdheut pa kursyer asgjë nga vetja, aty ku edhe dha frymën e fundit”, tha para të pranishmëve e bija e të ndjerit, Blerona Ejupi.
Komandanti i Brigadës të shpejtë Fadil Hadërgjonaj tha se njerëzit si Baki Ejupi janë të rrallë dhe se familjarët të jenë krenarë për veprat e tij, përcjell Telegrafi.
“Në të gjitha rastet ishe shembull i dalluar duke u dekoruar me medalje e mirënjohje përfshirë edhe me medaljen për motivacion. Për herë do të jenë të hapura dyert për familjen e kapiten Baki Ejupit. Djali i tij Erduari vazhdon me krenari e nderë rrugën e babait dhe shokëve të tij”, deklaroi Fadil Hadërgjonaj.
E përfaqësuesi nga organizatat e dala nga lufta, Fahri Bala tha se Ejupi është një shembull në luftë e në paqe.
Baki Ejupi qysh herët iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, Brigada 152, ndërsa me krijimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, ka shërbyer në Zonën e Pestë të TMK-së.
Kapter Ejupi, ndërroi jetë pasi përfundoi testimet fizike në FSK, ndërsa pas vetes ka lënë bashkëshorten dhe tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/