“Jelekët e Verdhët” në Francë kanë protestuar sërish në javën e 22-të të tubimeve kundër Qeverisë së Emmanuel Macronit.
Sipas ministrisë së Brendshme, këtë javë u numëruan rreth 31 mijë demonstrues në të gjithë vendin dhe 5 mijë vetëm në Paris.
Protesta nisi në mënyrë paqësore dhe vijoi si e tillë në kryeqytet, por situata u përshkallëzua në qytetin jugperëndimor të Tuluzës, ku dhjetëra protestues u përplasën me policinë. Ata i vendosën zjarrin disa koshave të mbeturinave.
Efektivët e policisë përdorën gazin lotsjellës dhe ujin për të shpërndarë turmën.
Ne orët e mbrëmjes rreth 14 persona u dërguan me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve gjatë protestës, ndërsa 37 demonstrues u arrestuan për armëmbajtje dhe mosrespektimin e uniformës së policisë.
Numri i tubuesve është rritur me 10 mijë persona, krahasuar me protestën e javës së kaluar.
Protestat e “Jelekëve të Verdhë” nisën nëntorin e vitit të kaluar si shprehje e zemërimit publik ndaj rritjes së taksave të karburantit.
Ato u shndërruan në një reagim më të gjerë kundër qeverisë së presidentit Emmanuel Macron dhe standardit të jetesës në vend. /Telegrafi/