Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos dhe e fejuara e tij Lauren Sanchez janë zotuar të krijojnë një fond prej 100 milionë dollarësh për të ndihmuar ishullin të rimëkëmbet nga zjarret katastrofike.
Sanchez, një personalitet i medias amerikane, njoftoi krijimin e Fondit Maui në një postim të fundit në Instagram, duke thënë se ajo ishte “e prekur thellë nga ajo që po ndodh”.
Paratë do të përdoren për të “ndihmuar që Maui të rikthehet në këmbë tani dhe gjatë viteve të ardhshme, pasi nevojat e vazhdueshme zbulohen”, shkroi ajo, përcjell Telegrafi.
Guvernatori i Hawaiit, Josh Green, i përshkroi zjarret si “katastrofën më të madhe natyrore” me të cilën ishte përballur ndonjëherë Hawaii, sipas AP.
Raporti thotë se shkatërrimi dhe humbjet e shkaktuara nga zjarri do të kushtojnë rreth 6 miliardë dollarë.
Ndryshe, në vitin 2021, Jeff Bezos bleu një pronë prej 14 hektarësh në gjirin La Perouse, në bregun jugor të Maui, rreth 15 milje larg zjarreve.
Shtëpia i kushtoi çiftit rreth 78 milionë dollarë dhe theu rekordet si prona më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ishullin Havai, sipas Architectural Digest.
Ishulli i izoluar është i popullarizuar me miliarderë të tjerë të teknologjisë dhe të famshëm, duke përfshirë Oprah Winfrey dhe Peter Thiel.
Bezos ka një vlerë neto prej 163 miliardë dollarësh, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg. Ai u zotua në nëntor të jepte pjesën më të madhe të pasurisë së tij. /Telegrafi/