“Excelsior” ka botuar, të martën e 11 nëntorit 1913, në faqen e dytë, një shkrim në lidhje me udhëtimin e profesorit francez Jean Brunhes në Shqipëri dhe bisedat e tij me Konicën në Durrës, Fishtën në Shkodër dhe Toptanin në Reth.
“Përshtypje nga Shqipëria
Bashkëpunëtori ynë i shquar z. Jean Brunhes, profesor i gjeografisë humane në “Kolegjin e Francës – Collège de France”, i cili vazhdon studimet e tij për vendet e Ballkanit, sapo është kthyer nga një mision i gjatë shkencor në Greqi dhe Shqipëri. Në çdo moment të historisë politike, grupet etnike në gadishull përballen me njëra-tjetrën – siç e kemi parë, natyrisht – në një pozicion dhe qëndrim të ri. Parashikimi i qëndrimit të së nesërmes është sekreti i të gjithë veprimeve efikase. Ne e dimë se me çfarë saktësie kishte planifikuar z. Jean Brunhes, tre muaj përpara, luftën e dytë ballkanike dhe fitoren e ushtrive serbe dhe greke. Ai tani përpiqet të na shpjegojë Shqipërinë e re, atë që nuk ekzistonte akoma pardje dhe dje; mund të jetë vendi dhe njerëzit mbi të cilët janë publikuar informacionet më të gabuara dhe fantazuese. Pra, kjo ishte një arsye më shumë për të mbledhur këto informacione të dorës së parë dhe të freskëta.
Në Durrës – portin kryesor shqiptar, një qytet i vogël piktoresk që vjen nga Dyrrahu i lashtë i romakëve dhe që ende është i rrethuar nga muret e bukura veneciane – mezi prisja të takoja të shquarin dhe mikpritësin e madh Mehmet bej Konicën; por ai ishte larguar kur unë mbërrita me 16 tetor.
Ai ishte larguar një ditë më parë për në Beograd, i ngarkuar nga miku i tij Esat Pasha me një mision gjysmë-zyrtar pranë qeverisë serbe: nga ky mision mund të dalë një afrim ose të paktën një ‘modus vivendi’ i respektit të ndërsjelltë midis Serbisë dhe Shqipërisë.
Pata, të paktën, fatin e mirë të bisedoja me vëllain e Mehmet bej Konicës (autori e ka fjalën për Faik Konicën – v.j.). Ai është një ish-nxënës i Gaston Parisit në Kolegjin e Francës; kishte ardhur për të ndjekur tek ne studime serioze filologjike, në mënyrë që të vinte në pah gjuhën dhe trashëgiminë e çmuar të legjendave dhe ‘folklorit’ të vendit të tij. Ky shqiptar ende i ri, me mendje të ndritshme dhe të mprehtë, flet shumë mirë frëngjishten dhe disa gjuhë të tjera evropiane.
‘Nëse doni të informoheni për përpjekjet që ne po bëjmë për të ndërtuar një Shqipëri që mendon dhe funksionon, shkoni të takoni, në Shkodër, një françeskan shqiptar, At Fishtën: ai është poet, filolog, patriot…’
Një bashkëbisedim me At Fishtën
Unë i kisha dëgjuar vetëm emrin At Fishtës; por të dëgjoja lavdërimin entuziast për një murg françeskan nga një shqiptar mysliman shumë i arsimuar, m’u duk diçka e pazakontë, dhe, kështu, unë shkova për të parë At Fishtën në manastirin e tij françeskan në Shkodër.
Një burrë i pashëm me një kokë të madhe, një shikim të drejtë dhe energjik, me flokë të zinj, fytyra e të cilit shpreh një forcë disi të çuditshme që i jep pamjen e një prifti me mustaqe që bien në sy, por pa mjekër (të gjithë priftërinjtë katolikë serbokroatë dhe shqiptarë kanë zakon të rruajnë mjekrën, por të mbajnë mustaqe).
‘Ne kemi bëri, deri më tani, vetëm një jetë individuale dhe krahinore… Lëruni shqiptarëve kohë që të japin provat e tyre… Për pesë shekuj ne u braktisëm deri në tiraninë më të përçmuar dhe madje në barbarizëm… Gjuha jonë ishte e urryer; zakonet tona të vjetra luftoheshin; këto zakone të vjetra, këto kanune, unë do t’i botoj; ne do të shohim se cila ishte drejtësia jonë tradicionale dhe fryma demokratike që ajo kishte… Ne duam së pari autonominë tonë intelektuale…’
Ky njeri fliste me një bindje dhe besim të tillë sa që mora guximin t’i bëj një pyetje të drejtpërdrejtë:
‘Ju e dini se si priftërinj dhe murgj katolikë shqiptarë, ju shohin si agjentë të Austrisë…’?
Unë do të kujtoj gjithmonë se me çfarë sinqeriteti të drejtpërdrejtë m’u përgjigj françeskani, pa iu shmangur pyetjes dhe pa vështirësi :
‘S’është e vërtetë. Ne nuk jemi agjentë të Austrisë. Unë, si dishepull, çfarë do të bëja këtu, nëse do të isha peng i ndonjë fuqie? Ajo që është e vërtetë është se ne dhe Austria kemi pasur interesa paralele. Katolikët shqiptarë kanë simpati për Austrinë, e cila ka mbrojtur dhe mbështetur, ashtu si dikur Franca, kauzën e shenjtë të lirive të tyre fetare: Unë jam drejtori i shkollave katolike të Shkodrës, të cilat financohen nga Austria, por ju siguroj mbi nderin tim që konsulli austriak nuk do të guxonte të më jepte kurrë një urdhër… Ajo që duam, ne shqiptarët, dhe ajo që do të ruajmë kundër të gjithëve, është pavarësia jonë’.
Unë po u dërgoj, si një dëshmitar besnik, këto deklarata të fuqishme.
Françeskani vazhdoi përsëri:
‘Na qortojnë për faktin se nuk kemi frymë politike… Por, si mund të kemi një opinion publik disi të organizuar, kur ne jemi të pavarur vetëm prej disa muajsh?… Dhe, prapë, a i përkasim vetvetes?… Është e qartë se jemi të ndarë dhe e injorojmë njëri-tjetrin, por le të na besojnë. Nuk na mungojnë individët që dikur, dhe ende dje, kanë treguar një frymë të madhe politike në Kostandinopojë. Lëruni njerëzve me vlera kohën e duhur që të vihen në pah dhe t’u imponohen natyrshëm shqiptarëve. Ne, pa frymë politike! Por, kedivi i Egjiptit ka gjak shqiptar, dhe politikani i madh Crispi ishte një italo-shqiptar’!
Ky françeskan, që pretendonte Crispin për lavdinë politike të Shqipërisë së tij, më dukej gjithnjë e më interesant.
‘Gjenerali Esat Pasha e ka treguar veten si një njeri që di të qeverisë. Ne e pamë në aksion gjatë rrethimit të gjatë të Shkodrës. Ai arriti t’u vinte rreth, në këtë qytet shqiptar katolik, 35 mijë turqve pa asnjë incident’.
Rrethimi, megjithatë, ka qenë kaq i gjatë dhe i vështirë! Të gjitha lidhjet (rregullat) e disiplinës mund të ishin dobësuar…
Edhe katolikët shqiptarë kanë shpresë për të ardhmen e vendit të tyre mbi personalitetin e spikatur të pashait, gjeneralit Esat. Po kështu, edhe për shumë shqiptarë myslimanë të Veriut.
Më çuan të takoj Esat Pashën nëpërmjet njërit prej shefave të rajonit malor të Veriut, Basri Beut – një njeri i qetë, i zgjuar, plot kuptim, që është një nga ata për të cilin do të flitet sërish. Basri Beu më duket se është negociatori dhe lideri i kësaj lloj konfederate të Qendrës dhe Veriut, që do të jetë nesër, nëse bëhet realitet, mbështetja dhe forca e Esatit.
Një fjalë nga Esat pasha
Me një qeleshe të kuqe, të vendosur mirë, dhe një xhaketë të zezë (e prerë sipas stilit parisian dhe me origjinë po nga Parisi), me një trëndafili të bukur e të zbehtë në xhep, gjenerali, i cili nuk është pesëdhjetë vjeç, duket edhe më i ri se ç’është. Ai është një njeri i aksionit dhe vullnetit, i cili është në moshën e duhur, plot energji. Duket i vendosur se dëshiron të jetë udhëheqësi efektiv i vendit të tij sesa ta braktisë atë ndaj disa burrave për të cilët ka vetëm një konsideratë shumë të ulët.
E di shumë mirë se çfarë bën dhe ku po shkon. I ka prerë urat (lidhjet). Nuk do të ndalet në gjysmë të rrugës.
Ne ishim në Reth më 17 tetor. Procedimet publike dhe deklaratat që janë bërë që nga ajo kohë, Esat Pasha i kishte akoma vetëm në brendësi. Por, ai më tha haptas:
‘Tani që jam në krye të vendit tim, jam i lumtur që personi i parë që takoj është një francez’.
Unë e shënova fjalinë e tij sa më saktë të ishte e mundur, sipas formës në të cilën m’u përkthye.
Esat pasha qeveris dhe punon. Ai i imponoi vetes mësimin e frëngjishtes. Tashmë e kupton gjuhën tonë; shqipton, me korrigjim, disa fjalë.
Është çorganizues i organizatës së përkohshme. Ai mund të jetë vetëm një i pavarur.
Padyshim që krijimi i një shteti shqiptar të ekuilibruar nuk do të jetë punë e një dite. Sa shekuj iu deshën Francës për t’u bërë Franca? Dhe, pse ëndërrojmë ne, për krijesat e reja politike, një stabilitet ideal dhe përfundimtar që nuk e kanë më të vjetrat e Evropës sonë? Me çfarë iluzionesh harrojmë papritur gjithë historinë tonë dhe tërë gjeografinë politike! Shqipëria ka ende shumë pengesa, na rezervon shumë surpriza, por lëvizja e mendjeve dhe marshimi i gjërave duket se po shkojnë drejt një fakti që mund të quhet një fakt i ri : pavarësia efektive e një Shqipëri e vërtetë”. /Darsiani/