Reperi i popullarizuar amerikan, Jay Z, është në mesin e shumë personazheve publike që ka reaguar për vdekjen e afro-amerikanit, George Floyd.
Ai ka bërë thirrje për ndjekjen penale të të gjithë oficerëve që ishin të përfshirë në vdekjen e Floyd.
50-vjeçari së fundmi ka kontaktuar me guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, me të cilin ka folur për vdekjen e George, duke ndarë dhimbjen e tij dhe duke theksuar se drejtësia duhet të vihet në vend.
Përmes një deklarate të hedhur në Instagram në faqen e Roc Nation, reperi bëri thirrje që Prokurori i Përgjithshëm Keith Ellison të marrë përsipër çështjen e George Floyd.
“Tani, unë, së bashku me një vend të tërë në dhembje, i bëj thirrje AG Ellison që të bëjë gjënë e duhur dhe të ndjekë penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për vrasjen e George Floyd në masën më të plotë të ligjit”, ka shkruar mes tjerash ai.
Ndërkaq, oficeri i policisë në Minneapolis, Derek Chauvin, është arrestuar lidhur me vdekjen e George Floyd, katër ditë pasi u shfaq në video duke i vendosur 46-vjeçarit gjurin në qafë, veprimi i të cilit ka ngjallur protesta të dhunshme në të gjithë vendin.
Chauvin ishte një nga katër oficerët që u pushuan nga puna për shkak të vdekjes së George, gjersa nuk është bërë ende e ditur nëse janë arrestuar edhe tre policët e tjerë. /Telegrafi/