Telegrafi

Javier Tebas mund të jap dorëheqje si president i La Ligës – kjo ka të bëjë me Barçën dhe Real Madridin

Në një intervistë të dhënë së fundmi presidenti i La Ligas, Javier Tebas, mes të tjerash ka folur edhe për arsyet që mund të çojnë deri tek dorëheqja e tij nga kjo pozitë.

I pari i La Ligas njihet si një ndër kundërshtuesit më të mëdhenj të krijimit të Superligës Evropiane, ani pse dy ekipet që po shtyjnë më së shumti për krijimin e saj janë Real Madridi dhe Barcelona.

Tebas ka thënë se në rast se projekti i Superligës Evropiane realizohet, ai do të jap dorëheqje të menjëhershme.

“Unë e quaj ‘Superliga e rrejshme’. E quaj kështu sepse çdo gjë aty është një gënjeshtër. Ata dëshirojnë të japin një imazh tjetër, atë të Bernd Reichard (shefi i Superligës Evropiane), të cilin e quaj Bernd Copperfield, por personi mbrapa kësaj është Florentino Perez”, ka thënë Tebas për El Mundo.

Lexo po ashtu Presidenti i La Ligas tregon gjasat që ka Mbappe për transferim te Real Madridi

“Kjo është një gënjeshtër sepse ata thonë se nuk do t’i dëmtojnë ligat kur e dinë se do ta bëjnë këtë. Nëse ky projekt shkon përpara, unë natyrisht që do të jap dorëheqje. Do të largohesha sepse futbolli spanjoll do të shkonte drejt një krize të tmerrshme ekonomike”, shtoi ai.

Real Madridi dhe Barcelona thuhet se kanë shumë besim se projekti i Superligës Evropiane do të vijë në ‘jetë’ gjatë sezoneve të ardhshme, sidomos duke marrë parasysh verdiktin e Gjykatës Evropiane.

Lexo po ashtu Javier Tebas parashikon të ardhmen e Barcelonës

Ani pse dy klubet janë të vetmet momentalisht pjesë e saj, raportohet se ka pasur disa kontakte pozitive me disa klube të tjera evropiane të cilat do të ishin të gatshme të bëheshin pjesë e saj.

Superliga Evropiane do të ketë për qëllim që të zëvendësojë të gjitha garat që zhvillohen në kuadër të UEFA-s, duke përfshirë këtu edhe Ligën e Kampionëve, si dhe të sigurojë më shumë të ardhura për klubet pjesëmarrëse./Telegrafi/