Telegrafi

Javi Martinez shpreson të luajë ndaj Juves

Futbollisti defensiv i Bayern Munichut, Javi Martinez, është i bindur se do të jetë i gatshëm kundër Juventusit në ndeshjen kthyese të të tetës së finales të Ligës së Kampionëve.

Spanjolli iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike në janar dhe mungoi në përballjen e parë që përfundoi me rezultat 2-2 në Torino.

Ai është stërvitur me top të mërkurën dhe shpreson të jetë në fushë më 16 mars.

“Ndihem shumë mirë dhe nuk ndjej kurrfarë dhimbjeje”, u ka thënë Martinez gazetarëve.

27-vjeçari mund të luajë edhe në mesfushë edhe në mbrojtje, ashtu që do t’i shërbejë Pep Guadiolas aty ku do t’i nevojitet.

Nga ana tjetër, Jerome Boateng dhe Holger Badstuber nuk pritet të aftësohen për atë ndeshje. /Telegrafi/