Telegrafi

Javën tjetër Qeveria del me plan për targat, Bislimi thotë se do të trajtohet edhe çështja e targave KM

Foto: Ilustrim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se javën e ardhshme do të ketë vendim qeveritar, për çështjen e targave me Serbinë.

Sipas tij, pala serbe në takimin e fundit ku ishte diskutuar për çështjen e targave ishte treguar jokonstruktive, dhe se sipas tij, kjo i ka dhënë hapësirë Qeverisë së Kosovës, ta paraqes planin e saj për një marrëveshje të re për çështjen e targave.

Bislimi ka thënë, se po punojnë që t’i rregullojnë problemet që sipas tij janë krijuar që 20 vite.

“Javën e ardhshme, del plani jonë për targa, në kuadër të planit tonë që del në javën tjetër, trajtohet edhe çështja e tabelave KM, po me pritë që ne me një ndërprerës elektrik e trajtojmë një problem që ka ekzistu që 20 vite, mendoj që është pritje përtej aktivistit, nuk është mirë të fshehen prapa aktivistëve, lërani neve brengat për aktivistat”, ka thënë Bislimi.

Për marrëveshjen për energji për faturimin dhe inkasimin e katër komunave të Mitrovicës Veriore, ka thënë se ka mundur të anulohet ajo marrëveshje, por që sipas tij do të ishte edhe më e dëmshme.

“Ka mund të jetë opsion i anulimit të marrëveshjes, por pastaj ju do të thonit se nuk keni guxim të bëni marrëveshje, na kishit dërgu në Gjykatë Kushtetuese që po paguajmë për veriun”, ka thënë ai.RTVD/Telegrafi/