Site icon Telegrafi

Java fillon me mot të butë, të enjten reshje bore

Java fillon me mot kryesisht me diell, ndërsa masa të ngrohta ajrore që po depërtojnë nga Mesdheu do të mbajnë temperaturat ndjeshëm mbi vlera mesatare, e ditën e martë temperaturat maksimale do arrijnë edhe mbi 15 gradë Celsius.

Të mërkurën dhe të enjten një ciklon nga Atlantiku do të depërtojë mbi rajon, që do të sjellë kushte për reshje të dobëta shiu. Të enjten me depërtimin e masave të ftohta ajrore priten edhe reshje afatshkurta bore.

Për shkak të diferencave të mëdha barike, të enjten priten edhe erëra, të cilat në disa pjesë të Dukagjinit mund të arrijnë hove deri në 20m/s.

Cilësia e ajrit ditëve të ardhshme do të luhatet përreth vlerave mesatare, e kohëpaskohe do të kalojë edhe në vlera të pashëndetshme. Erërat që pritet të fryjnë nga mesi i javës pritet të sjellin përmirësime, ku vlerat do të zbresin edhe në të mira.

Temperaturat minimale do të luhaten nga -2C deri në 3C, ndërsa maksimalet ditën e martë arrijnë deri në 16C, e ditën e enjte pritet të zbresin deri në 6C. Do të fryjë erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme drejtimesh të ndryshme 3-13m/s, e ditën e enjte vende-vende me hove edhe deri në 20m/s.

Shtypja atmosferike deri të mërkurën gradualisht do të zbresë thellë nën vlera normale.

Exit mobile version