Java e fundit në elitën e futbollit kosovar do të fillojë ditën e premte (sot).
Federata e Futbollit të Kosovës ka vendosur që tri ndeshje të luhen ditën e sotme, por që skuadrat që do të luajnë janë pa objektiva.
Vëmendja më e madhe do të jetë në Pejë në ndeshjen Besa – Llapi dhe në Mitrovicë ku kampioni në fuqi Trepça ’89 do të presë Vllazninë e Pozhoranit.
Këto dy takime nuk do të kenë ndonjë rëndësi për klubet pasi Besa dhe Vllaznia kanë rënë zyrtarisht në Ligën e Parë , ndërsa Llapi dhe 89-shi janë pa objektiva.
Por dy futbollistët kryesorë të ekipeve, Mirlind Daku i Llapit dhe Oto John i 89-shit do të synojnë të shënojnë sa më shumë gola për të marrë çmimin e golashënuesit më të mirë të vitit.
Aktualisht John i prinë listës së golashënuesve me 16 gola ndërsa një më pak e ka Daku.
Ndeshja e tretë që është planifikuar të zhvillohet ditën e sotme është ajo mes Flamurtarit dhe Feronikelit.
Të gjitha ndeshjet do të fillojnë nga ora 16:00. /Telegrafi/