Baki Jashari nga Filarmonia e Kosovës, ka thënë se Komuna e Prishtinës në fillim ka gabuar që nuk e ka qartësuar çështjen, lidhur me ndërtimin e sallës koncertale.
“Donacioni i BE-së prej 15.4 milion eurosh nuk është i destinuar për asgjë tjetër përpos për sallë. Këto mjete nuk mund të dedikohen për diçka tjetër. Ai objekt patjetër duhet ta ketë emrin sallë”, ka thënë ai.
Jashari, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se për ndërtimin e këtij objekti janë dhënë disa lokacione. Ndër to, sipas tij, kanë qenë vendi aktual te objekti i ish-Gërmisë dhe hapësira pas Pallatit të Rinisë.
“Unë në cilësinë e drejtuesit të Filharmonisë kam qenë për ndërtimin e objektit prapa Pallatit të Rinisë. Zgjedhja te Gërmia ndoshta është shtyrë nga zyrtarët e BE-së, por zgjidhja e jonë nuk ka qenë aty”.
Drejtuesi i Filharmonisë ka thënë se duhet të merren parasysh edhe mendimet e BE-së për të mos rrezikuar fondet.
“Duhet të bëjmë çmos që të tejkalohen problemet dhe mos ta humbim grantin”.
Jashari ka thënë se salla i ka disa specifika të veçanta, pasi duhet të ketë një izolim absolut nga zhurmat e jashtme.
“Edhe një biçikletë nëse kalon andej pari, nuk duhet të dëgjohet brenda”.
Ai ka thënë se objekti te ish-Gërmia nuk është më ai që ka qenë dikur.
“Ai objekt nuk i plotëson kërkesat për sallë”.
“Sallat e koncerteve nuk guxojnë të kenë shtylla, pasi ato janë komplet të ndërtuara me çelik”.
Drejtuesi i Filharmonisë ka thënë se aspekti akustik është shumë i rëndësishëm për këto salla, përndryshe dështon objekti.
“Aspekti akustik është elementi më i rëndësishëm, sepse ka shumë salla në botë që kanë kushtuar miliona, por në fund kanë dështuar, sepse nuk kanë qenë të vëmendshëm në aspektin akustik”, tha Jashari./Telegrafi/