Përfaqësuesi i shoqatave të familjarëve të dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur rreth çështjes së shfuqizimit të Gjykatës Speciale.
Jashari ka thënë se kjo gjykatë është e dëmshme, dhe se pas iniciativës së tyre për shfuqizim nuk qëndron askush.
“Ne kemi protestuar edhe në kohën kur është kërkuar miratimi i kësaj gjykate në vitin 2015. Askush nuk qëndron prapa nismës tonë për shfuqizim dhe ju e dini në vazhdimësi që kemi qenë kundër kësaj padrejtësie”, ka thënë Jashari.
Jashari ka theksuar se është e panevojshme krijimi i një gjykate të tillë ku sipas tij lufta e pastër e UÇK-së është dëshmuar edhe në instancat më të larta të drejtësisë, siç është Gjykata e Hagës.
“Krijimi i kësaj gjykate është puro politike, është fyerje dhe shkelje e rëndë për luftën e UÇK-së. Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk mund ta bëjë një gjykatë të tillë, pasi që ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet “, u shpreh Jashari.
Gjatë bisedës së tij ai theksoi se kërkesa e tyre ka qenë që të krijohet një gjykatë vendore e cila do të hetojë të gjitha rastet pa dallim.
“Duhet të mbahet mbledhja e kryesisë, të caktohet seanca dhe atëherë deputetët të thonë fjalën e tyre”, u shpreh Jashari.
Jashari shtoi se ata të cilët në vitin 2015 ngritën dorën për ta votuar krijimin e kësaj gjykate, bënë gabim fatal.
“Të gjithë ata që ngritën dorën për ta krijuar një gjykatë të tillë bënë gabim fatal. Kjo gjykatë është e njëanshme dhe e njollos luftën e UÇK-së. Ne ju kemi bërë thirrje edhe kemi biseduar me deputetë, po ju bëjë thirrje edhe tash të gjithë deputetëve që Gjykata Speciale është e dëmshme dhe duhet të ndodhë shfuqizimi i saj”, tha Jashari. /Telegrafi/