Telegrafi

Jasharaj: Rritja e pagave 4% në sektorin e arsimit, veprim nënçmues (Video)

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka theksuar se paralajmërimet e kësaj sindikate për protesta dhe grevë, janë ndërprerë në disa raste nga presioni i jashtëm.

Kryesindikalisti i arsimit, në emisionin “Përballje” prodhim i Telegrafi.com, ka thënë se rritja e pagës për punëtorët e arsimit për 4% është veprim nënçmues.

“Që nga viti 2014, nuk kemi rritje të pagave në sektorin e arsimit. Tash kjo rritje e vogël, në raport me rritjen e pagës së kryeministrit, i ka irrituar punëtorët e arsimit. Kështu po vërtetohet thënia popullore që ‘kush është nën dardhë, i merr dardhat’”, ka theksuar Jasharaj.

“Ky janari po na gjen në pritje, sepse nuk duam të besojmë se do të ketë një rritje të tillë. Do të presim ta marrim rrogën, dhe pastaj nëse nuk ka ndonjë lëvizje, do t’i mobilizojmë të gjitha forcat në reagimin kundër 4 përqindëshit. Nëse kjo nuk realizohet, ne mund të protestojmë dhe shkojmë edhe në grevë”, ka shtuar Jasharaj.

Sipas tij, këto kërkesa kanë qenë edhe gjatë viteve të mëparshme, mirëpo nuk ishin realizuar.

Emisioni “Përballje” është prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu dhe transmetohet çdo të hënë nga ora 20:10 në RTV Dukagjini e Telegrafi.com. /Telegrafi/