Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, është deklaruar për media pas takimit që ka zhvilluar bashkë me Këshillin Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin.
Para mediave, Jasharaj ka kërkuar nga partitë opozitare që të bashkohen dhe të mos lejojnë që Kosova të shndërrohet në shtet diktatorial. Ai po ashtu ka theksuar se tendencat janë që të shtypen e të heshtën sindikatat.
“Është mirë që të gjithë të bëhemi bashkë që të mos lejojmë që Kosova të kthehet në një shtet diktatorial. Tendencat janë që të shtypen e të heshtën sindikatat, e kur sindikatat janë të shtypura dhe të heshtura, atëherë nuk ka shtet demokratik… Nuk e ka askush të drejtën që Kosovën ta dërgojë deri këtu, e nesër ta dërgojë edhe më keq”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, Krasniqi ka thënë se Kurti nuk do të lejohet që ta shndërrojë Kosovën në shtet diktatorial, ndërsa ka shtuar se nëse nuk ndodh dialogu deri javën e ardhshme, atëherë do të iniciojnë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, në mënyrë që të gjendet zgjidhje.
“Kërkojmë që t’i kthehet qeveria dialogut të mirëfilltë… Nëse një gjë e tillë nuk ndodh deri në fillim të javës së ardhshme, ne do të iniciojmë kthimin e deputeteve në Kuvendin e Kosovës, do të iniciojmë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të marrë veprime të tjera të cilat do të mundësojnë kthimin e ligjshmërisë këtë vend… Le ta dijë Albin Kurti që kurrë nuk do të guxojë e as nuk do të lejohet që ta kthejë Kosovën në diktaturë. Ky vend nuk duron diktaturë dhe nuk do të lejojë që Albin Kurti të bëhet diktator i Kosovës”.
Që nga 25 gushti, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Kërkesa kyçe e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat./Telegrafi/