Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, përmes një reagimi publik ka thënë se kryeministrin e vendit, Albin Kurti, dhe qeverinë do t’i zë mallkimi i minatorëve.
Në reagimin e bërë, Jasharaj thotë se minatorët po vazhdojnë grevën me gjendjen e rënduar, transmeton Telegrafi.
“Kryeministër Kurti ty nuk po të lë hapësirë në këtë shkrim se je shumë i zënë me dialogun, por anëtarët e Qeverisë që ti drejton dhe ca deputet nga partia jote do t’i zë mallkimi i minatorëve grevistë që mezi marrin frymë në galerinë 800 metra nën tokë. I vizitova dje dhe teksa po pritnim të lëshoheshim në brendësitë e tokës, nga atje nxorën grevistë me gjendje të rënduar shëndetësore e ata mallkonin institucionet dhe mendje e kishin të kolegët e tyre në thellësitë e nëntokës së Kosovës”, ka pohuar ai.
Tutje, ai ka shkruar se minatorët punojnë në kushte të tmerrshme të punës.
“Kryeministër me këtë gjendjen time të rënduar shëndetësore bashkë me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Shërbyesve civilë Ali Gashi dhe nënkryetarin e BSPK-së Skënder Lushtaku po bëheshim gati për të zbritur në galeri 800 metra nën tokë , por duhej pritur se ekipet kujdestare po nxjerrin goxha me vështirësi grevistë për t’i dërguar në institucione shëndetësore e ata të stërlodhur kundërshtonin të ndaheshin nga shokët grevistë, por edhe mallkonin. Mallkonin Qeverinë dhe udhëheqësit që nuk po qajnë kokën për ta e për kushtet tmerr të punës në minierë”, thuhet në reagim.
Tutje, ai ka shkruar “kryeministër , ti nuk ke kohë për minatorët, por dërgoje këtë farë Dimal Bashën, që është i asgjëdijshmi, e që bën propagandë kundër minatorëve grevistë për pagat e tyre”.
“Kryeministër ata janë në grevë thellë nën tokën e Kosovës sepse as edhe një herë nuk janë të sigurt se do të marrin pagat e tyre.
Kur ke pak kohë të lirë o kryeministër Kurti, në vend që të pini çaja e të bëni reklama koti, merre Qeverinë dhe shumë ushtarë të Facebook-ut dhe vizitoni minatorët me apo pa grevë. Ti kthehu me Qeveritarët për të vazhduar dialogun e ushtarët tu të rrjeteve sociale urdhëroj të kalojnë , bile, një ditë nën thellësitë e tokës së Kosovës dhe të ndajnë fatin e “mirë” me minatorët. Minatorë grevistë me ju dje e ndave lotin dhe dhembjen dhe isha njëri nga ata që u kujdeset sepse shëndeti im i dobët u bë problem për ju. Punëtorët e arsimit , që nga çerdhet e deri në universitet ishin dhe janë me ju”. /Telegrafi/