Prokurorja e PSP-së në dorëheqje, Katica Janeva vazhdon të mohojë lidhjet me rastin “Haraçi”. Në publikimin e video së tretë që u bë sot nga gazeta italiane “La Verita” dëgjohet biseda midis saj dhe Orce Kamçevit, të cilat ajo nuk i kundërshtoi.
“Lidhur me bisedat e publikuar sot, të paraqitura në portale, ritheksoj që në interes të hetimeve paraprake dhe hetimeve të kryera nga Prokuroria Publike që drejtoj, kam folur vazhdimisht me individë të ndryshëm në përpjekje për të marrë pozicione më të mira në çështjet penale, shpesh ndodhi të bëhej përmes ndërmjetësuesve të caktuar prej tyre. Në këtë rast konkret, gjatë asaj periudhe, bisedimet u zhvilluan nga ana ime me personin O.K për tu bërë bashkëpunëtor-dëshmitar në një parahetim të ri që kemi kryer në Prokurori, së bashku me një nga prokurorët e mi ndihmës. U bëj thirrje autoriteteve hetuese që të përfundojnë sa më shpejt hetimet, të mbledhin të gjitha provat dhe të përfundojnë të gjitha ekspertizat mjekoligjore që lidhen me rastin “Haraçi”, të pastrojnë plotësisht këtë rast dhe të zbardhin emrin tim”, thotë Janeva në një deklaratë të publikuar nëpërmes Prokurorisë Speciale Publike.
Ajo po shmang komunikimin direkt me gazetarët./Telegrafi/