Site icon Telegrafi

Janev për alarmet për bomba në shkolla: Gjendja e sigurisë është stabile, kemi gjurmë se nga vijnë kërcënimet

Drejtori i Byrosë për Siguri Publike Aleksandar Janev, sot nga Tetova ka folur në lidhje me alarmet për vendosje të bombave nëpër shkolla. Janev tha se gjendja e sigurisë është stabile dhe kërkoi nga qytetarët të jenë të qetë.

Ai tha se autoritetet kanë gjurmë se prej nga vijnë këto alarme, por tha se nuk do të jep informacione të detajuara, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Gjendja e sigurisë është stabile, nuk ka nevojë për panik, të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit duhet të jenë të qetë. Bëhet fjalë për alarme të rrejshme. Jemi duke hetuar qëllimin e këtyre alarmeve, së bashku me Interpolin dhe Europolin”.

“Kemi disa gjurmë, gjithashtu komunikojmë me kolegët tanë nga Kroacia dhe Hungaria, të cilat para disa ditësh po ashtu kanë pasur raste të njëjta. Autoritetet policore kanë kryer kontrolle aty ku është dashur. Kemi protokolle se si duhet të veprojmë në këto raste. Jemi të gatshëm për t’u përgjigjur ndaj të gjitha sfidave dhe do të jemi pranë qytetarëve. Kërcënime ka pasur dhe do të do ketë”, tha Janev.

Ndryshe, sot në mëngjes në shkolla të disa qyteteve në vend në adresat elektronike është dërguar kërcënim për vendosje të mjeteve shpërthyese, ndërsa këto kanë shkaktuar panik tek nxënësit, të cilët janë evakuuar nga objektet shkollore./Telegrafi/

Exit mobile version