Dy banorë të Havait që janë rritur si shokë të ngushtë, kanë zbuluar se në fakt janë vëllezër, dhe se këtë gjë e kuptuan në ditën e festës së Krishtlindjes.
Alan Robinson dhe Walter McFarlain janë shokë të ngushtë tash e 60 vite. Ata kanë lindur në Havai, dhe kanë dallim në moshë vetëm 15 muaj, dhe janë njohur kur në klasën e gjashtë filluan të luajnë bashkë futboll në shkollë në Honollullu, transmeton Telegrafi.
Që të dy filluan të mbledhin informacione për rrënjët e tyre, pasi që McFarlain nuk e kishte njohur kurrë babanë biologjik, kurse Robinson ishte adoptuar.
Televizioni lokal Khon nga Honollullu ka raportuar se McFarlain pas tentimit të dështuar për të mbledhur informacione për rrënjët e tij si në internet ashtu dhe në rrjetet sociale, ai iu drejtua ueb-faqes së specializuar për këso situata.
“Kur filluam të pranojnë informacione, vendosëm t’i kontrollojmë”, ka deklaruar vajza Cindy MCFarlain-Flores. Përshtatja më e përafërt me kromozomet X, ishin të një personi që përdorte emrin kodues “Robi 737”.
Bëhej fjalë për pseudonimin e Robinsonit “Robi”, i cili me profesion ishte pilot i aeroplanit “Boeing 737” të aviokompanisë “Aloha Airlines”.
Dhe në fund doli se edhe Robinson kishte përdorur të njëjtën faqe për t’i gjetur përgjigjet për familjen e tij. Më vonë e kuptuan se ishin nga e njëjta nënë.
“Ka qenë shokuese”, ka deklaruar McFarlain i cili kurrë nuk e kishte besuar se shoku i tij i ngushtë në fakt është vëllai.
Dyshja tani planifikojnë të udhëtojnë dhe të shijojnë në maksimum jetën si pensionistë. /Telegrafi/