James Rodriguez dëshiron të kthehet te Real Madridi në verën e ardhshme, mirëpo kjo do të varet nga vendimi i Bayern Munichut për shfrytëzimin apo jo të opsionit për blerjen e tij.
Futbollisti kolumbian nuk është i kënaqur në Munih dhe nuk ka arritur të përshtatet në sistemin e lojës së trajnerit Niko Kovac.
Duke marrë parasysh situatën e krijuar te klubi bavarez dhe problemet e tij të fundit me lëndime, lojtari dëshiron të kthehet në Santiago Bernabeu.
Për të kanë shprehur interesim edhe disa klube të tjera, duke përfshirë Manchester Unitedin, Milanin, Juventusin dhe Barcelonën.
Megjithatë, dëshira e tij kryesore është që të luajë sërish për Real Madridin, klub i cili e ka në pronësi.
Në vitin 2017, Bayerni i pagoi 13 milionë euro Realit për ta huazuar mesfushorin për dy vite dhe e ka mundësinë që ta blejë për 42 milionë euro të tjera në fund të këtij sezoni, ashtu që shuma totale do të shkonte në 55 milionë euro.
E ardhmja e 27-vjeçarit varet ekskluizivisht nga vendimi i bavarezëve për ta blerë ose jo, duke qenë se nëse klubi gjerman vendos ta mbajë dhe Reali dëshiron ta kthejë me çdo kusht, atëherë Reali do të duhej të paguante rreth 80 milionë euro për ta shkelur marrëveshje me Bayernin. /Telegrafi/