Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, ka ndarë në platformën e tij në X një moment të fuqishëm nga koncerti i këngëtarit James Blunt në Glasgow.
Gjatë performancës së këngës “No Bravery”, në sfond u shfaqën imazhe të shtëpive të djegura nga lufta e Kosovës, si dhe fëmijë të pafajshëm që përjetuan tragjedinë e asaj periudhe të errët.
Duke shpërndarë videon, ambasadori Kapiti shkroi: “Mbrëmë në Glasgow, kënga “No Bravery” e James Blunt përmbledh në mënyrë prekëse gjenocidin e Luftës së Kosovës, të kryer nga ushtria serbe, duke ngjallur reflektim të thellë mbi vuajtjet njerëzore”.
Last night in Glasgow, James Blunt’s “No Bravery” poignantly encapsulated the genocide of the Kosovo War, committed by Serbian army, evoking profound reflection on human suffering. pic.twitter.com/FNtF8PkQGi
— Ilir Kapiti (@IlirKapiti) February 15, 2025
James Blunt, i cili ka shërbyer si ushtar në Kosovë gjatë luftës, e ka pasqyruar këtë realitet edhe në videoklipin e kësaj kënge, duke përfshirë pamje të ngjashme dhe rrëfimin e tij personal mbi përvojën e tij në atë periudhë.
James Blunt, i cili shërbeu si oficer në Kosovë gjatë luftës, e ka dokumentuar këtë realitet edhe në videoklipin e këngës.
Në fillim të klipit ai shprehet: “Përshëndetje, unë jam lejtnant James Blunt”, duke treguar se ishte i vendosur në Ballkan. Më tej, ai shprehet se ende nuk e dinte saktësisht se cila do të ishte detyra e tij, por do të përpiqej të dokumentonte sa më shumë me kamerën e tij.
Ky moment në koncertin e tij ka sjellë një reflektim të fortë mbi tragjedinë e Kosovës dhe fuqinë e muzikës për të mbajtur gjallë kujtesën historike. /Telegrafi/